Comment & analysis

Serbia dhe Kosova – shfrytëzimi i momentit të ri për sigurimin e paqes afatgjatë

15 May 2013 Ferdinand Nikolla

Marrëveshja e fundit e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës jep mundësi për krijimin e paqes afatgjatë në regjion. Megjithatë, të dy qeveritë tani duhet të shkojnë përtej motivimeve, të cilat janë të bazuara vetëm në integrimet e mëtejme në Evropë, dhe të tregojnë përkushtim të mirëfilltë për zbatimin e marrëveshjes në mënyrë llogaridhënëse, të efektshme dhe transparente, tha Ferdinand Nikolla, koordinator i projektit në Kosovë.

Më 19 prill, si rezultat i një numri bisedimesh të lehtësuara nga Bashkimi Evropian (BE), Serbia dhe Kosova arritën një "Marrëveshje të parë inkurajuese mbi Parimet e normalizimit të marrëdhënieve" mes dy vendeve.  Kjo marrëveshje shënon hapin më të rëndësishëm përpara që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, dhe pritet që të përmirësojë perspektivën e tyre për integrime evropiane, si dhe t’i kontribuojë paqes e stabilitetit në regjion. Rrjedhimisht, është qenësore që as Kosova e as Serbia të mos bllokojnë apo t’i inkurajojnë të tjerët të bllokojnë përparimin e anës tjetër drejt marrëdhënieve më të ngushta me BE-në, si dhe të miratojnë plane të qarta të zbatimit të marrëveshjes.  

Marrëveshja e prillit bazohet në ujditë e mëparshme të arritura lidhur me çështjet fetare, të trashëgimisë kulturore dhe të ndërlidhjes, duke përfshirë edhe njohjen reciproke të titujve universitarë, këmbimin e të dhënave të regjistrave civilë dhe të librave kadastralë, vulën e Doganës së Kosovës, Sistemin e zhvilluar nga BE-ja për menaxhimin e integruar të kufirit në vendkalimet kufitare dhe përfaqësimin e Kosovës në forume ndërkombëtare. Në  Raportin e Komisionit Evropian të prillit 2013 evidentohet përparimi drejt zbatimit të marrëveshjeve të lartpërmendura, dhe rekomandohet që negociatat për antarësim në BE duhet të jenë të hapura me Serbinë si dhe bisedimet për Kosovën për arritjen e marrëveshjes për stabilizim-asocim me BE-në.   

Megjithatë, ekziston një sfidë reale për qeveritë në demonstrimin e gatishmërisë, përkushtimit dhe vendosmërisë së mirëfilltë për të shkuar përtej aspiratave të tyre të integrimit në Evropë. Në këtë vazhdë, është thelbësore që marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja të mos komunikohet si diçka që vendet duhet ta bëjnë për hir të anëtarësimit të tyre të ardhshëm në Bashkimin Evropian, por si rezultat i përkushtimit të mirëfilltë për arritjen e marrëdhënieve më të mira mes dy vendeve në të mirën e popujve të tyre.    

Ka indikacione të qarta se perceptimet dhe qëndrimet e popujve të të dyja vendeve kanë reaguar pozitivisht ndaj këtij ndryshimi. Megjithatë, ka nevojë për më shumë punë në  trajtimin e nivelit të lartë të skepticizmit dhe kundërshtimit nga ana e njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës. BE-ja duhet t’ua bëjë të qartë të dy qeverive se procesi i integrimeve në BE pikësëpari ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, posaçërisht në veri, duke u dhënë liri më të madhe të lëvizjes njerëzve dhe mallrave. Në këtë drejtim duhet të arrihen rezultate konkrete me qëllim të përparimit drejt proceseve integruese evropiane. 

Në mënyrë që marrëveshja të jetë afatgjatë, është imperativ që të dy qeveritë t’i përkushtojnë kohë dhe resurse zbatimit të saj të menjëhershëm. Rrjedhimisht, duhet të krijohet një plan zbatimi dhe një komision zbatimi për të siguruar një proces transparent, përfshirës dhe pjesëmarrës. Përmes zbatimit duhet të krijohen rezultate të vogla, por të prekshme për ta zënë dhe shfrytëzuar momentin, si dhe për të marrë përkrahje të gjerë për procesin dhe për të fituar ndjenjën e pronësisë ndaj tij. Qeveritë duhet të jenë llogaridhënëse për zbatimin, ndërsa përparimi ose mospërparimi duhet të bëhet publik. 

Zbatimi i saj nuk është vetëm përgjegjësi e klasës politike drejt qytetarëve. Qeveritë po ashtu kanë detyrë t’i përfshijnë ata në këtë proces, ku edhe organizatat e shoqërisë civile kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ato duhet të përcjellin nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe të ofrojnë kanale të hapura për komunikim mes udhëheqësve politikë dhe qytetarëve të këtyre dyja vendeve, në mënyrë që qeveritë e të dyja vendeve të jenë transparente dhe llogaridhënëse për veprimet e tyre të ardhshme. 

BE-ja gjithashtu duhet të ofrojë përkrahjen e saj në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, si dhe të krijojë mjedis inkurajues në veri të Kosovës për arritjen e rezultateve të prekshme. Kjo nënkupton përkrahjen e tyre për krijimin e strukturave dhe të sigurisë, si dhe për ofrimin e drejtësisë, të cilat trajtojnë nevojat dhe shqetësimet e komunitetit serbë të Kosovës në veri, duke ruajtur funksionalitetin e institucioneve të Kosovës, si dhe rregullimet juridike e administrative në Kosovë. 

Kjo marrëveshje historike ndikon në jetën e tërë popullatës. Qytetarët e të dyja vendeve janë kryesorët për zhvillimin e marrëdhënieve të reja dhe për krijimin e së ardhmes, përmes së cilës trajtohen shqetësimet e së kaluarës dhe shikohet përpara drejtë perspektivës.    

Ferdinand Nikolla është koordinator i projektit për Kosovë. Saferworld punon në partneritet me anëtarët e Forumit për Siguri, siç janë  Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Instituti për Studime të Avancuara (GAP) dhe Instituti për Zhvillimin e Politikave (INDEP).

Më shumë për punën tonë mund të lexoni në Kosovë